Personat e njohur si “super agers” – të moshuar mbi 80 vjeç me aftësi njohëse të krahasueshme me individë 20–30 vjet më të rinj duket se kanë një avantazh të rëndësishëm gjenetik që i mbron nga rënia e funksioneve të trurit, sugjeron një studim i ri.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore Alzheimer’s & Dementia, këta individë kanë më pak gjasa të bartin variantin gjenetik APOE-ε4, i cili lidhet ngushtë me rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Njëkohësisht, ata kanë më shumë gjasa të kenë variantin APOE-ε2, i cili mendohet se ofron mbrojtje ndaj kësaj sëmundjeje neurodegjenerative.
Studiuesit analizuan të dhëna nga mbi 18 mijë persona që merrnin pjesë në tetë studime të ndryshme mbi plakjen. Rezultatet treguan se “super agers” ishin 68 për qind më pak të prirur të mbanin variantin APOE-ε4 krahasuar me personat me Alzheimer në të njëjtën grupmoshë.
Po ashtu, ata kishin 19 për qind më pak gjasa ta kishin këtë variant edhe krahasuar me të moshuar me funksione njohëse normale.
Në anën tjetër, “super agers” rezultuan 28 për qind më të prirur të bartnin variantin mbrojtës APOE-ε2, dhe mbi dy herë më shumë sesa personat me Alzheimer.
Sipas autores kryesore të studimit, Leslie Gaynor, profesoreshë asistente e mjekësisë geriatrike në Universitetin Vanderbilt, këto gjetje tregojnë se “super agers” përbëjnë një grup veçanërisht të jashtëzakonshëm të të moshuarve, me rrezik më të ulët gjenetik për Alzheimer./Gazeta Shneta/


