Obeziteti mund të jetë një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës vaskulare, sipas një studimi të fundit shkencor. Demenca vaskulare është forma e dytë më e shpeshtë e demencës pas sëmundjes së Alzheimerit, dhe parandalimi i saj përbën një fushë shumë të rëndësishme kërkimi.
Një studim i publikuar në “The Journal of Clinical Endocrinology & Metabolism”, i cili përdori metodën e randomizimit Mendelian, sugjeron se obeziteti mund të ketë një rol shkakor në demencën e lidhur me enët e gjakut, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se presioni i lartë i gjakut mund të veprojë si një faktor ndërmjetësues në këtë lidhje. Këto gjetje tregojnë se kontrolli i peshës trupore dhe i tensionit të gjakut mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për këtë lloj demence.
Sipas Alzheimers.gov, demenca vaskulare shkaktohet nga gjendje si goditjet në tru, të cilat pengojnë qarkullimin normal të gjakut në tru dhe çojnë në probleme me kujtesën, të menduarit dhe sjelljen.
Edhe pse Alzheimeri mbetet forma më e zakonshme e demencës, demenca vaskulare përbën një përqindje të konsiderueshme të rasteve.
Për të analizuar lidhjen mes obezitetit dhe demencës vaskulare, studiuesit përdorën të dhëna individuale dhe përmbledhëse nga disa studime të mëdha, përfshirë UK Biobank.
Ata shqyrtuan indeksin e masës trupore (BMI), presionin e gjakut dhe nivelin e sheqerit në gjak, si dhe variantet gjenetike të lidhura me këta faktorë.
Rezultatet treguan se një BMI më i lartë shoqërohet me një rrezik më të madh për demencë vaskulare, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjeve praktike për një stil jetese më të shëndetshëm. /Gazeta Shneta/


