Një kombinim zgjedhjesh të shëndetshme jetese, si aktiviteti i rregullt fizik, ushqyerja e balancuar dhe gjumi i mjaftueshëm, mund të ndihmojë njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm. Megjithatë, ende ka pasur paqartësi se cilat lloje të aktivitetit fizik janë më të dobishme për jetëgjatësinë.
Një studim i ri, i publikuar në “BMJ Medicine”, sugjeron se përfshirja e rregullt në një larmi aktivitetesh fizike — si vrapimi, çiklizmi dhe noti — mund të jetë mënyra më efektive për të zgjatur jetën, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Deri tani, kërkimet kanë treguar se një stil jetese i shëndetshëm, që përfshin ushqim të mirë, joduhanpirje, menaxhim të stresit, gjumë cilësor dhe aktivitet fizik, ndihmon në parandalimin e sëmundjeve kronike dhe vdekjes së parakohshme.
Në këtë studim, studiuesit analizuan të dhëna nga dy kërkime të mëdha afatgjata: “Nurses’ Health Study” dhe “Health Professionals Follow-Up Study”. Në total, u përfshinë mbi 111,000 pjesëmarrës, të cilëve iu vlerësua aktiviteti fizik për më shumë se 30 vite.
Pjesëmarrësit raportuan angazhimin e tyre në aktivitete të ndryshme, përfshirë ushtrime kardio si ecja, vrapimi, çiklizmi, noti dhe tenisi; ushtrime me intensitet të ulët si joga dhe shtrirjet; stërvitje me pesha; si dhe punë fizike të moderuara ose intensive në ambiente të jashtme, si kopshtaria apo gërmimi.
Sipas autorit kryesor të studimit, Yang Hu nga Harvard T.H. Chan School of Public Health, aktiviteti fizik është një faktor jetese i ndryshueshëm.
Ndryshe nga gjenetika, njerëzit mund të zgjedhin të lëvizin më shumë për të parandaluar sëmundjet dhe për të përmirësuar cilësinë dhe gjatësinë e jetës. /Gazeta Shneta/


