Autoritetet shëndetësore kanë autorizuar së pari një trajtim të posacëm kundër malaries për foshnjat dhe fëmijët e vegjël, një hap i rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje që shkakton mijëra vdekje çdo vit te fëmijët në Afrikë dhe vende të tjera me rrezik të lartë.
Coartem Baby, një version i ri i ilaçit antimalarik artemether‑lumefantrine, mori miratim rregullator në Zvicër si medikamenti i parë i dedikuar trajtimit të malaries tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël, duke mbushur një hendek të madh terapeutik që ka ekzistuar deri tani, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Shneta.
Para këtij miratimi, ilaçet kundër malaries janë testuar dhe miratuar vetëm për fëmijë më të mëdhenj apo të rritur, duke lënë foshnjat që peshojnë nën 4.5 kilogramë pa një trajtim të autorizuar, një situatë që rrit rrezikun e dozimit të pasaktë kur përdoren medikamente për moshë më të madhe.
Coartem Baby është krijuar sidomos për të qenë tretës dhe i lehtë për t’u administruar, edhe përmes qumështit të gjirit, dhe ka një aromë që e bën përdorimin më të pranueshëm për fëmijët.
Gjashtë deri tetë vende afrikane që morën pjesë në vlerësimin rregullator pritet të miratojnë shpejt këtë trajtim në nivel kombëtar, duke e bërë atë të disponueshëm për komunitetet ku malarja mbetet një nga sfidat më serioze të shëndetit publik.
Deri tani, trajtimet e disponueshme nuk ishin të përshtatura për grupmoshën më të ndjeshme, gjë që i detyronte mjekët të përdornin formulime për fëmijë më të rritur me rrezik të dozimit të pasaktë.
Zhvillimi i këtij ilaçi për fëmijë të vegjël pranohet si një hap historik drejt zvogëlimit të vdekshmërisë nga malarja në mesin e të porsalindurve dhe foshnjave, duke ofruar një mjet të specializuar që mund të shpëtojë jetë në komunitetet ku sëmundja është endemike dhe ku statistikat tregojnë nivele të larta të infeksioneve dhe komplikacioneve te fëmijët. /Gazeta Shneta/


