Rreth një në nëntë të rritur në mbarë botën jeton me diabet, dhe mbi 90% e këtyre rasteve janë diabet i tipit 2. Ky lloj diabeti është shpesh i vështirë për t’u diagnostikuar, kryesisht sepse simptomat zhvillohen ngadalë ose mund të mungojnë plotësisht për një periudhë të gjatë kohore.
Sipas studiuesve, deri në momentin kur vendoset diagnoza, ndryshime të dëmshme në zemër, veshka apo enët e gjakut mund të kenë filluar tashmë. Mjetet aktuale për vlerësimin e rrezikut bazohen kryesisht në faktorë si mosha, pesha trupore, historia familjare dhe nivelet e sheqerit në gjak, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse të dobishme, këta tregues nuk pasqyrojnë plotësisht ndryshimet biologjike që çojnë në zhvillimin e diabetit, duke bërë që shumë persona të mos identifikohen herët si grup me rrezik të lartë.
Për këtë arsye, kërkuesit shkencorë po përqendrohen në metoda të reja për diagnostikimin e hershëm të diabetit të tipit 2.
Një studim i publikuar së fundmi në revistën “Nature”, prezanton një model të ri të inteligjencës artificiale, i aftë të identifikojë me saktësi më të lartë personat në rrezik për diabet, si dhe për vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.
Sipas studimit, ky model i IA-së rezulton më efektiv sesa testi standard HbA1c, i cili mat mesataren e niveleve të sheqerit në gjak gjatë tre muajve të fundit.
Paralelisht, një tjetër studim i publikuar në “Nature Medicine”, zbuloi se molekula të vogla në gjak mund të shërbejnë si tregues të rinj biologjikë për parashikimin e rrezikut të ardhshëm për diabetin e tipit 2, duke plotësuar dhe tejkaluar faktorët tradicionalë të rrezikut.
Këto zhvillime hapin rrugë për diagnostikim më të hershëm dhe parandalim më efektiv të sëmundjes. /Gazeta Shneta/


