Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, mëngjesin e sotëm ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, ku është pritur nga drejtuesit e këtij institucioni shëndetësor.
Gjatë vizitës, drejtori i spitalit, Osmani Hajdari, u shpreh se kjo vizitë ka një rëndësi të veçantë, duke përfshirë jo vetëm karakterin njerëzor, por edhe atë kombëtar. Ai theksoi se vizita shpreh mirënjohje për përkushtimin, profesionalizmin dhe solidaritetin e stafit shëndetësor të spitalit ndaj qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Ai njoftoi se gjatë vitit 2025 një numër i konsiderueshëm qytetarësh nga Republika e Shqipërisë kanë marrë shërbime shëndetësore në këtë institucion.
Sipas tij, janë realizuar rreth 800 hospitalizime, 400 vizita në emergjencë, 450 vizita në njësitë e tjera spitalore, si dhe 2200 vizita në repartin e dializës.
Në total, qytetarët e Republikës së Shqipërisë kanë përfituar mbi 3.200 vizita specialistike brenda Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit.
Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e shëndetësisë, si dhe rolin kyç që kanë institucionet shëndetësore në forcimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Nga ana e tij, ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, u shpreh falënderues për pritjen dhe për angazhimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor, duke vlerësuar lart humanizmin dhe profesionalizmin e treguar.
Ndryshe, vizita u vlerësua si një shenjë e forcimit të marrëdhënieve vëllazërore dhe bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve.




