A mund të ndihmojë trajtimi i artritit reumatoid përpara se sëmundja të shfaqet, në vonimin e fillimit të saj? Sipas të dhënave të vitit 2021, rreth 17.9 milionë njerëz në mbarë botën jetonin me artrit reumatoid, një sëmundje autoimune që shkakton inflamacion, dhimbje dhe ënjtje të nyjeve.
Shkaku i saktë i artritit reumatoid mbetet ende i panjohur, por studiuesit besojnë se rreziku ndikohet nga një kombinim faktorësh, përfshirë gjenetikën dhe faktorë mjedisorë si pirja e duhanit.
Aktualisht, nuk ekziston asnjë mënyrë e sigurt për ta parandaluar këtë sëmundje, veçanërisht nëse ajo është e pranishme në familje, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, një studim i ri i publikuar në revistën “The Lancet Rheumatology”, sugjeron se trajtimi i hershëm i personave me rrezik të lartë për zhvillimin e artritit reumatoid, me një medikament specifik për këtë sëmundje, mund të vonojë shfaqjen e saj për disa vite.
Studimi u fokusua në përdorimin e abatacept-it, një ilaç për artritin reumatoid. Mes tjerash, ndërtohet mbi një provë klinike të vitit 2024 dhe zgjeron periudhën e ndjekjes deri në 4–8 vjet.
Rezultatet treguan se personat që morën abatacept për 12 muaj e zhvilluan sëmundjen dukshëm më vonë sesa ata që morën placebo, me një vonesë deri në 4 vjet pas përfundimit të trajtimit.
Edhe pse trajtimi nuk e parandaloi plotësisht sëmundjen, studiuesit theksojnë se ndërhyrja e hershme mund të ndryshojë ecurinë e saj, duke ulur vitet që pacientët jetojnë me simptoma dhe komplikacione.
Përfitimi më i madh u vu re te individët me rrezikun më të lartë, të identifikuar përmes analizave të gjakut.
Sipas autorit kryesor të studimit, kjo qasje është e sigurt, lehtëson simptomat dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e jetës së pacientëve. /Gazeta Shneta/


