Në kuadër të rubrikës “Mjeku i Javës”, me Dr. Fitim Gogën, specialist i reumatologjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt dhe në MedPro Clinic, diskutuam për osteoporozën – një sëmundje kronike që shpesh zhvillohet pa simptoma dhe zbulohet vetëm pas frakturave. Ai shpjegon pse osteoporoza quhet “sëmundja e heshtur e eshtrave”, sa e përhapur është në Kosovë, cilat janë shenjat paralajmëruese, mënyrat e diagnostikimit, trajtimet e disponueshme dhe rëndësinë e ndryshimeve në stilin e jetesës për parandalim dhe menaxhim afatgjatë.
Intervista e plotë:
Shneta: Çfarë është osteoporoza dhe pse quhet “sëmundja e heshtur e eshtrave”?
Dr. Goga: Osteoporoza është një sëmundje kronike e eshtrave, ku kockat humbin densitetin dhe forcën, duke u bërë më të brishta dhe më të rrezikuara për thyerje. Ajo quhet “sëmundja e heshtur e eshtrave” sepse në shumicën e rasteve nuk jep simptoma të qarta deri në momentin kur ndodh fraktura. Pacienti shpesh ndihet mirë dhe nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen derisa përballet me pasoja serioze.
Sa e përhapur është osteoporoza në Kosovë dhe cilat grupmosha preken më shpesh?
Dr. Goga: Edhe në Kosovë, osteoporoza është një problem i rëndësishëm shëndetësor, veçanërisht tek gratë pas menopauzës dhe tek personat mbi moshën 50 vjeç. Rreziku rritet me moshën, por nuk përjashtohen as burrat, sidomos ata me faktorë rreziku si mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja e varfër me kalcium, pirja e duhanit dhe përdorimi afatgjatë i disa barnave. Për shkak të mungesës së diagnostikimit të hershëm, shumë raste mbesin të paidentifikuara.
Cilat janë shenjat e hershme që pacientët duhet t’i vërejnë para se të ndodhë fraktura?
Dr. Goga: Në fazat e hershme, osteoporoza rrallë jep dhimbje. Megjithatë, disa shenja që mund të vërehen janë dhimbjet e shpinës pa shkak të qartë, ulja graduale e gjatësisë trupore, përkulja e trupit dhe lodhja e shpejtë gjatë aktiviteteve të zakonshme. Këto shpesh neglizhohen ose i atribuohen moshës, por mund të jenë tregues të dobësimit të eshtrave.
Si diagnostikohet osteoporoza dhe cilat teste janë më të përdorurat në Kosovë?
Dr. Goga: Diagnostikimi bazohet në vlerësimin klinik dhe matjen e densitetit kockor. Testi më i përdorur është matja e densitetit mineral të eshtrave, i njohur si densitometria. Krahas kësaj, bëhen analiza laboratorike për të vlerësuar nivelin e kalciumit, vitaminës D dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në shëndetin e kockave. Diagnostikimi i hershëm është kyç për parandalimin e frakturave.
Cilat trajtime ekzistojnë aktualisht në Kosovë dhe sa janë të aksesueshme për pacientët?
Dr.Goga: Në Kosovë, trajtimi i osteoporozës bazohet në kombinimin e suplementeve, barnave specifike kundër humbjes së masës kockore dhe ndjekjes së rregullt mjekësore.
Cilat janë barnat më të përdorura për trajtimin e osteoporozës?
Dr. Goga: Së pari, suplemente të kalciumit dhe vitaminës D, të cilat përbëjnë bazën e trajtimit pothuajse te të gjithë pacientët. Ato ndihmojnë në ruajtjen e densitetit kockor dhe janë gjerësisht të aksesueshme në Kosovë.
Së dyti, bisfosfonatet, të cilat janë barnat më të shpeshta për ngadalësimin e humbjes së masës kockore. Këto barna veprojnë duke frenuar resorbimin e kockës dhe përdoren në forma orale ose injektabile. Janë relativisht të aksesueshme, por kërkojnë përdorim korrekt dhe ndjekje të rregullt.
Në raste të caktuara, përdoren edhe modulatorët selektivë të receptorëve të estrogjenit, veçanërisht te gratë pas menopauzës, për të reduktuar rrezikun e frakturave.
Te pacientët me rrezik të lartë për fraktura, mund të përdoren edhe terapi biologjike ose injeksione me veprim afatgjatë, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në metabolizmin e kockës. Këto terapi janë më pak të përdorura për shkak të kostos dhe qasjes më të kufizuar, por ekzistojnë si opsion trajtimi.
Aksesueshmëria e trajtimit në Kosovë në përgjithësi ekziston, por shpesh varet nga:
– diagnostikimi i hershëm
– vetëdijesimi i pacientëve
– ndjekja e rregullt mjekësore
– përkushtimi ndaj terapisë afatgjatë
Përtej barnave, çfarë ndryshimesh në stilin e jetesës ndihmojnë në parandalim dhe menaxhim?
Ndryshimet në stilin e jetesës janë po aq të rëndësishme sa edhe terapia mjekësore. Ushqyerja e pasur me kalcium dhe proteina, ekspozimi i moderuar në diell për vitaminën D, aktiviteti fizik i rregullt dhe ushtrimet për forcimin e muskujve ndihmojnë në ruajtjen e eshtrave. Shmangia e duhanit, kufizimi i alkoolit dhe parandalimi i rënieve janë hapa kyç për uljen e rrezikut të frakturave.
Cili është mesazhi juaj në lidhje me këtë sëmundje?
Dr. Goga: Osteoporoza nuk duhet pritur të zbulohet përmes frakturës. Me diagnostikim të hershëm, trajtim të rregullt dhe ndryshime të qëndrueshme në stilin e jetesës, kjo sëmundje mund të menaxhohet dhe pasojat e saj të reduktohen ndjeshëm.


