Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se ka filluar ofrimin e testimit laboratorik QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus), një metodë moderne për zbulimin e infeksionit me Mycobacterium tuberculosis.
Sipas njoftimit, QuantiFERON-TB Gold Plus është një test diagnostik in vitro, i bazuar në analizën e gjakut, i cili mat përgjigjen imunitare qelizore ndaj bakterit shkaktar të tuberkulozit përmes detektimit të gama-interferonit (IFN-γ). Ky test përdoret kryesisht për identifikimin e infeksionit latent me tuberkuloz, si dhe si ndihmë në vlerësimin diagnostik të rasteve të dyshuara.
Nga IKShPK bëhet e ditur se testi ka disa përparësi, përfshirë faktin se nuk ndikohet nga vaksinimi BCG, kërkon vetëm një vizitë për marrjen e mostrës së gjakut, si dhe ofron specifikë dhe ndjeshmëri të lartë në diagnostikim.
Testimi kryhet vetëm në laboratorin referent nacional të Tuberkulozës në IKShPK, sipas indikacioneve klinike dhe me referim nga mjeku përkatës. Interpretimi i rezultateve realizohet në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe gjithmonë në kontekstin klinik të pacientit./Gazeta Shneta/




