Personat që flenë rregullisht vonë dhe janë më aktivë gjatë natës kanë shëndet më të dobët kardiovaskular dhe përballen me rrezik më të lartë për sulm në zemër ose goditje në tru, tregon një studim i ri i publikuar në Journal of the American Heart Association.
Sipas hulumtimit, të ashtuquajturit “night owls” kanë rreth 16 për qind rrezik më të madh për këto sëmundje krahasuar me personat që zgjohen herët.
Studimi përfshiu mbi 300 mijë të rritur, me moshë mesatare 57 vjeç, dhe analizoi lidhjen mes zakoneve të gjumit dhe shëndetit të zemrës.
Autorët theksojnë se personat që rrinë zgjuar deri vonë shpesh përjetojnë çrregullime të ritmit biologjik, pasi ora e brendshme e trupit nuk përputhet me ciklin natyror ditë-natë, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Kjo gjendje shoqërohet më shpesh me zakone jo të shëndetshme, si ushqyerja e dobët, pirja e duhanit dhe mungesa e gjumit cilësor.
Të dhënat tregojnë se personat me zakone të vonshme gjumi kishin deri në 79 për qind më shumë gjasa të shfaqnin shëndet të dobët kardiovaskular.
Lidhja mes gjumit të vonë dhe problemeve të zemrës ishte më e theksuar te gratë, sipas studimit.
Ekspertët theksojnë se ky rrezik nuk është i pashmangshëm dhe lidhet kryesisht me sjellje që mund të ndryshohen.
Përmirësimi i cilësisë së gjumit, aktiviteti fizik i rregullt, ushqyerja e shëndetshme dhe shmangia e duhanit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës, edhe tek personat që priren të qëndrojnë zgjuar deri vonë./Gazeta Shneta/


