Një student britanik i mjekësisë, i cili mbeti i paralizuar pas një aksidenti gjatë zhytjes, ka rifituar një nivel të ri pavarësie falë një implanti në tru të zhvilluar nga kompania Neuralink e Elon Musk. Pajisja po testohet në kuadër të një prove klinike në fazë të hershme në Londër dhe u mundëson përdoruesve të kontrollojnë kompjuterin vetëm me mendime.
Sebastian Gomez-Peña është ndër pacientët e parë në Mbretërinë e Bashkuar që teston këtë teknologji. Implanti u vendos gjatë një operacioni pesëorësh në “University College London Hospitals (UCLH)”. Ai lidhet me trurin përmes fijeve mikroskopike dhe transmeton sinjale nervore pa kabllo drejt një kompjuteri, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Nga dhoma e spitalit, Gomez-Peña tani mund të lëvizë kursorin, të hapë skedarë dhe të luajë shah në laptop pa e prekur fare.
Sistemi interpreton aktivitetin e trurit që lidhet me lëvizjet e synuara dhe e shndërron atë në komanda digjitale. Ai thotë se kjo teknologji i ka dhënë shpresë pas humbjes së plotë të kontrollit të gjymtyrëve.
Operacioni u krye me ndihmën e një roboti kirurgjikal të projektuar nga “Neuralink”, i cili vendos elektroda ultra të holla në korteksin motorik të trurit – zonën që kontrollon lëvizjet e dorës dhe gishtërinjve. Këto elektroda lidhen me një çip të vogël, i vendosur brenda kafkës, që regjistron dhe transmeton aktivitetin e trurit.
Mjekët thonë se rezultatet e hershme janë premtuese dhe se teknologjia mund të ndryshojë jetën e personave me dëmtime të rënda neurologjike. Megjithatë, ajo mbetet ende eksperimentale dhe nevojiten studime më të gjata për të vlerësuar sigurinë dhe efektet afatgjata. /Gazeta Shneta/


