Një mjet i ri i bazuar në rrezikun gjenetik mund të përmirësojë diagnostikimin e hershëm të sklerozës multiple te të rinjtë dhe të ndihmojë në parandalimin e dëmtimeve të përhershme të shikimit të shkaktuara nga neuriti optik.
Kjo gjendje inflamatore prek nervin optik dhe manifestohet zakonisht me shikim të paqartë dhe dhimbje gjatë lëvizjes së syve. Megjithëse mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, neuriti optik është më i zakonshëm te të rinjtë, shkruan Medical Xpress transmeton Gazeta Shneta.
Rreth 50% e rasteve të neuritit optik në Mbretërinë e Bashkuar përparojnë më vonë në sklerozë multiple. Në rastet kur nuk ka lidhje me këtë sëmundje, nervi optik mund të dëmtohet përhershëm nëse nuk trajtohet menjëherë me doza të larta steroidesh.
Për të identifikuar më herët pacientët në rrezik, studiuesit analizuan të dhënat gjenetike dhe demografike të mbi 500,000 personave nga Biobank në Mbretërinë e Bashkuar. Nga këta, 687 kishin neurit optik, por vetëm një pjesë e tyre zhvilloi më vonë sklerozën multiple.
Kombinimi i informacionit gjenetik me të dhënat personale përmirësoi ndjeshëm parashikimin e zhvillimit të sëmundjes.
Hulumtimi, i udhëhequr nga “Universiteti i Exeter” dhe “King’s College në Londër” dhe botuar në “Nature Communications”, tregon se përdorimi i analizave gjenetike mund të ndihmojë mjekët të marrin vendime më të informuara për trajtimin e hershëm, duke zvogëluar rrezikun e dëmtimit të përhershëm të shikimit dhe duke përmirësuar kujdesin për pacientët me neurit optik. /Gazeta Shneta/


