Diagnostifikimi i demencës mund të jetë një proces i komplikuar.
Mjekët zakonisht shqyrtojnë historinë mjekësore dhe familjare të pacientit, bëjnë pyetje mbi simptomat dhe rekomandojnë teste njohëse apo skanime të trurit për të përcaktuar nëse personi vërtet vuan nga demenca, shkruan Health News transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, disa gjendje shëndetësore mund të shkaktojnë simptoma që ngjajnë me demencën. Këtu përfshihen hidrocefalia me presion normal, përdorimi i tepruar i alkoolit dhe depresioni.
Kur diagnostikohen dhe trajtohen siç duhet, këto simptoma mund të përmirësohen ose të zhduken.
Së fundmi, studiuesit kanë identifikuar një gjendje tjetër të zakonshme, por shpesh të padukshme, që lidhet me mëlçinë dhe mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me demencën.
Hulumtimet e mëparshme, që përfshinin 177,422 veteranë të diagnostikuar me demencë, treguan se 5 deri në 10% kishin cirrozë të mëlçisë dhe një gjendje të lidhur, të quajtur encefalopati hepatike.
Cirroza shfaqet si grumbullim i indit mbresë në mëlçi dhe zakonisht shkaktohet nga hepatiti, keqpërdorimi afatgjatë i alkoolit ose kushtet metabolike si obeziteti.
Dëmtimi i mëlçisë mund të çojë në encefalopati hepatike, ku akumulimi i toksinave në gjak ndikon në funksionin e trurit, duke shkaktuar simptoma të ngjashme me demencën. Kur kjo gjendje identifikohet dhe trajtohet, simptomat njohëse shpesh mund të ndalojnë ose të kthehen, duke ofruar një shpresë të re për pacientët. /Gazeta Shneta/


