Programi kombëtar i Australisë për parandalimin e lindjeve të vdekura, ‘Safer Baby Bundle’, ka dhënë rezultate pozitive duke ulur numrin e lindjeve të vdekura dhe vdekshmërinë perinatale, sipas vlerësimit të parë zyrtar të realizuar nga studiues australianë.
Studimi, i kryer në shtetin e Victoria-s nga Hudson Institute of Medical Research dhe Monash University, tregon se zbatimi i programit në maternitetet publike është shoqëruar me më pak raste të lindjeve të vdekura, pa rritur komplikime të tjera gjatë shtatzënisë apo lindjes.
Safer Baby Bundle përfshin udhëzime të qarta për mjekët dhe informim për gratë shtatzëna, me qëllim identifikimin e hershëm të rrezikut dhe reagimin në kohë. Në Australi, më shumë se gjashtë foshnje lindin të vdekura çdo ditë, ndërsa në vitin 2022 janë regjistruar mbi 3,000 vdekje perinatale.
Sipas autorëve të studimit, programi ka ndihmuar në uljen e rasteve të lindjeve të vdekura nga shkaqe të pashpjeguara dhe nga disa komplikime gjatë shtatzënisë, duke treguar përmirësim në monitorimin dhe trajtimin e rrezikut fetal.
Megjithatë, raporti thekson se përfitimet nuk janë të njëjta për të gjitha grupet e popullsisë. Nuk është vërejtur përmirësim i dukshëm tek disa komunitete migrante, ndërsa tek gratë indigjene është shënuar rritje e vdekshmërisë perinatale gjatë periudhës së studimit.
Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore kanë nisur përshtatjen e programit për komunitetet indigjene, migrante dhe refugjate, me synimin që kujdesi shëndetësor të jetë më gjithëpërfshirës dhe efektiv për të gjitha gratë shtatzëna.


