Një vajzë 14-vjeçare është trajtuar me sukses pas një rasti të rrallë dhe me rrezik për jetën, pasi një gjilpërë i kishte depërtuar në toraks, mes zemrës dhe mushkërive.
Ende nuk dihet se si ka ndodhur kjo, por trupi i huaj është larguar me sukses përmes ndërhyrjes kirurgjikale, shkruan Gazeta Shneta.
Operacioni është kryer para dy ditësh në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së nga kirurgët Nazmi Kolgeci dhe Avni Behluli, në bashkëpunim me kirurgun e fëmijëve Salih Grajçevci dhe anesteziologen Diana Hoxha-Avdyli, së bashku me ekipin mbështetës.
Burime nga klinika bëjnë të ditur se lokalizimi i gjilpërës ka qenë i vështirë dhe është përdorur pajisje magnetike për ta gjetur dhe larguar atë.
Një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe në verën e vitit 2024, kur një grua kishte gëlltitur aksidentalisht një gjilpërë, e cila kishte përfunduar në rrugët e frymëmarrjes. Në atë rast, trupi i huaj ishte larguar nga pulmologët përmes bronkoskopisë. /Gazeta Shneta/





