Tatuazhet janë më të famshme se kurrë, por një numër gjithnjë në rritje studimesh shkencore sugjerojnë se boja e përhershme mund të lidhet me zhvillimin e disa llojeve të kancerit. Kjo ka ngritur pyetjen: sa të shqetësuar duhet të jeni realisht?
Njerëzit kanë tatuazhe në lëkurën e tyre prej mijëra vitesh, nga simbolet fisnore deri te dizajnet moderne. Për shumicën, shqetësimi kryesor ka qenë pendesa në të ardhmen, por kërkimet e fundit tregojnë se mund të ekzistojnë edhe rreziqe shëndetësore afatgjata, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas një studimi të botuar në “European Journal of Public Health”, rreth 13–21% e popullsisë në Evropën Perëndimore kanë të paktën një tatuazh.
Megjithatë, ndikimi i tyre afatgjatë në shëndet mbetet pak i studiuar. Kërkime të mëparshme kanë treguar se boja e tatuazheve mund të grumbullohet në nyjet limfatike, duke shkaktuar inflamacion dhe, në raste të rralla, limfomë.
Një studim i vitit 2025 nga Universiteti i Danimarkës Jugore raportoi se personat me tatuazhe kanë rrezik më të lartë për kancer të lëkurës dhe limfomë.
Sipas studimit, binjakët me tatuazhe, kishin gati katër herë më shumë rrezik për kancer të lëkurës. U vu re gjithashtu se tatuazhet më të mëdha se pëllëmba e dorës mund ta rrisin më tej rrezikun.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate janë ende paraprake dhe ndikohen nga shumë faktorë, si lloji i bojës, vendndodhja e tatuazhit dhe predispozitat gjenetike. Nuk ka ende prova përfundimtare që tatuazhet shkaktojnë kancer, por ekspertët bien dakord se nevojiten studime më të gjera dhe afatgjata.
Aktualisht, tatuazhet konsiderohen relativisht të sigurta kur kryhen në kushte higjienike dhe me bojëra të rregulluara.
Sidoqoftë, si me shumë zgjedhje në jetë, një rrezik i vogël afatgjatë mund të ekzistojë dhe ende nuk dihet mjaftueshëm për ta përjashtuar plotësisht. /Gazeta Shneta/


