Ministria e Shëndetësisë ka marrë pjesë në Takimin Rajonal të Komunitetit të Praktikës së Ekipeve Mjekësore Emergjente (EMT) për Rajonin Evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i cili u mbajt nga 27 deri më 29 janar 2026.
Kosova në këtë takim u përfaqësua nga ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MSh-së, Jahë Gecaj, drejtori i Departamentit për Integrime Evropiane, Mentor Sadiku, si dhe zyrtari i lartë për emergjenca, Premtim Kadriu.
Takimi u organizua nga Agjencia Spanjolle për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim dhe Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën, me mbështetjen e Qeverisë së Spanjës.
Sipas njoftimit, qëllimi i takimit ishte përcaktimi i drejtimit strategjik dhe zbatimi i politikave për integrimin e standardeve dhe metodologjive të iniciativës së Ekipeve Mjekësore Emergjente brenda sistemeve kombëtare shëndetësore.
Në fokus të diskutimeve ishte kalimi nga kornizat globale dhe rajonale drejt hartimit të planeve konkrete kombëtare të veprimit për EMT-të, të përshtatura sipas nevojave të secilit shtet.
Ministria e Shëndetësisë vlerëson se zhvillimi dhe institucionalizimi i Ekipeve Mjekësore Emergjente përfaqëson një investim strategjik për sigurinë shëndetësore të Kosovës, duke synuar forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave dhe fatkeqësive.
Gjatë takimit janë zhvilluar diskutime edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat, ashtu si Kosova, ndodhen në proces të themelimit të EMT-ve me mbështetjen e projektit të Bashkimit Evropian, IPA CARE.
Ministria ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e kapaciteteve në menaxhimin e emergjencave shëndetësore, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.




