Një studim i publikuar nga The Financial Times, i cili anketoi 250 mijë përdorues online në 50 vende, ka zbuluar se përdorimi i rrjeteve sociale është në rënie deri në 10% në mbarë botën.
Rënia vihet re kryesisht tek të rinjtë, gjenerata që dikur e shihte internetin si zgjatim të jetës së tyre.
Ekspertët paralajmërojnë se po afrohemi drejt një faze të re, të quajtur “Posting Zero”.
Sipas The New Yorker, kjo është pika ku njerëzit e zakonshëm – ata që nuk janë të komercializuar apo të profesionalizuar në rrjet – mund të ndalojnë së ndari përmbajtje, pasi lodhen nga zhurma, presioni dhe ekspozimi i vazhdueshëm.
“Posting Zero do të thoshte fundi i rrjeteve sociale ashtu siç i kemi njohur dikur: si një kronikë në kohë reale e botës, e krijuar nga kushdo që po përjetonte diçka,” shkruan Kyle Chayka i The New Yorker.


