Hulumtimet e reja sugjerojnë se, sidomos për personat që duan të humbin peshë, thënia se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës mund të jetë e vërtetë.
Një studim i vogël ka treguar se njerëzit me mbipeshë dhe obezitet që konsumonin rreth 45% të kalorive ditore në mëngjes dhe vetëm 20% në mbrëmje arritën të humbnin peshë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet ndryshonin sipas përbërjes së mëngjesit. Ata që ndoqën një dietë të pasur me fibra humbën pak më shumë peshë dhe shfaqën rritje të diversitetit të mikrobiomës së zorrëve.
Ndërsa personat që konsumonin më shumë proteina ndiheshin më pak të uritur, gjë që mund të ndihmojë në kontrollin afatgjatë të peshës. Studimi u botua në “British Journal of Nutrition”.
Studiuesit përfshinë 19 persona me moshë mesatare rreth 57 vjeç dhe indeks mase trupore nga mbipeshë deri në obezitet të rëndë.
Ata ndoqën dy plane ushqimore: një dietë të pasur me proteina dhe një tjetër të pasur me fibra. Të dyja parashikonin mëngjes të madh, ndërsa pjesa tjetër e kalorive shpërndahej në drekë dhe një darkë më të lehtë. Pas 28 ditësh në secilin regjim, pjesëmarrësit kaluan në tjetrin.
Të dy dietat sollën humbje peshe dhe ulje të presionit të gjakut dhe yndyrnave në gjak.
Dieta me fibra çoi në humbje pak më të madhe peshe dhe përmirësim të shëndetit të zorrëve, ndërsa dieta me proteina uli ndjeshëm urinën falë ndikimit në hormonet e ngopjes dhe shpenzimin më të madh energjetik gjatë tretjes.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kufizimi i kalorive luajti rol kryesor në rezultatet.
Përfundimisht, zgjedhja mes proteinës dhe fibrës varet nga synimet personale: proteinat ndihmojnë në kontrollin e urisë, ndërsa fibrat mbështesin shëndetin afatgjatë metabolik dhe të zorrëve. /Gazeta Shneta/


