Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës është realizuar me sukses misioni i radhës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve me sëmundje të lindura të zemrës, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Sipas njoftimit, misioni u zhvillua në periudhën 08–13 shkurt 2026 me përkrahjen e Muntada Aid nga Londra, në bashkëpunim me specialistë nga Turqia dhe stafin e disa klinikave të QKUK-së.
Gjatë këtij misioni janë skrinuar 92 fëmijë me anomali kongjenitale të zemrës, përfshirë dy ekzaminime prenatale. Prej tyre, 35 fëmijë janë trajtuar përmes ndërhyrjeve përkatëse.
Në total janë kryer 26 intervenime kardiologjike dhe 9 kardiokirurgjikale, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit, në kardiologjinë intervenuese janë trajtuar raste me ductus arteriosus persistens, defekt septal ventrikular, koarktacion të aortës, defekt septal atrial tipi II dhe stenozë të arteries pulmonare, si dhe janë realizuar kateterizime diagnostikuese.
Tutje në kuadër të Kardiokirurgjisë Pediatrike janë realizuar edhe ndërhyrje komplekse, përfshirë procedura të kryera për herë të parë në Kosovë, si rekonstruksioni i traktit dalës të ventrikulit të djathtë pas Tetralogjisë së Fallot-it me implantim të valvulës biologjike pulmonare, trajtimi i unazës vaskulare aortike dhe realizimi i procedurës Glenn.
Aktualisht, tre fëmijë janë duke vazhduar trajtimin në klinikë pas ndërhyrjeve kardiokirurgjikale, ndërsa pacientët e tjerë janë liruar në gjendje të mirë post-operative dhe po ndiqen në kushte shtëpie.
Sipas ShSKUK-së, gjendja e të gjithë pacientëve paraqitet stabile pas kontrollit pas lëshimit./Gazeta Shneta/


