Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit, zhurmës mjedisore dhe kimikateve toksike po lidhet gjithnjë e më shumë me rritjen e rrezikut për probleme të shëndetit mendor, paralajmëron European Environment Agency (EEA). Agjencia bën thirrje për “veprim urgjent dhe drastik”, duke theksuar se edhe ulje të moderuara të ndotjes mund të sjellin përmirësime të ndjeshme në shëndetin mendor të popullatës.
Sipas raportit, ndotja mund të ndikojë në shfaqjen ose përkeqësimin e çrregullimeve mendore përmes ekspozimit afatgjatë, duke ndërvepruar me faktorë të tjerë si predispozita gjenetike, kushtet sociale dhe ekonomike apo stili i jetesës.
EEA thekson se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur gjatë shtatzënisë, fëmijërisë dhe adoleshencës së hershme lidhet me ndryshime strukturore dhe funksionale në tru. Studimet tregojnë lidhje të qëndrueshme mes ekspozimit afatgjatë ndaj grimcave të imëta (PM2.5) dhe dioksidit të azotit (NO2) me rritjen e rasteve të depresionit.
Periudhat me nivele të larta ndotjeje janë lidhur gjithashtu me shtim të rasteve të depresionit dhe përkeqësim të simptomave të skizofrenisë.
Zhurma nga trafiku rrugor, hekurudhor dhe ajror konsiderohet një faktor tjetër rreziku. Sipas raportit, çdo rritje prej 10 decibelësh në nivelet e zhurmës shoqërohet me një rritje të vogël, por të matshme, të rrezikut për depresion dhe ankth. Zhurma e avionëve paraqet lidhjen më të fortë për decibel me çrregullimet mendore, veçanërisht depresionin.
EEA thekson se ndjeshmëria individuale ndaj zhurmës dhe ndjenja e bezdisjes mund të jenë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në përkeqësimin e shëndetit mendor.
Ekspozimi ndaj metaleve të rënda, veçanërisht plumbit, tymit pasiv të duhanit, pesticideve dhe kimikateve që ndikojnë sistemin endokrin, është lidhur me rritjen e rrezikut për depresion, ankth dhe skizofreni.
Substanca si bisfenoli A dhe përbërjet PFAS, të njohura si “kimikate të përhershme”, janë lidhur me probleme të shëndetit mendor, sidomos kur ekspozimi ndodh gjatë periudhës prenatale.
Sipas World Health Organization, një në gjashtë persona në Evropë jeton me një çrregullim të shëndetit mendor, ndërsa një në tre prej tyre nuk merr trajtimin e duhur. Në Bashkimin Evropian, mbi 11 milionë vite jetë të humbura për shkak të paaftësisë u atribuuan çrregullimeve mendore në vitin 2023.
EEA paralajmëron se, pa masa të forta për reduktimin e ndotjes, barra e çrregullimeve mendore pritet të rritet, veçanërisht tek të rinjtë dhe grupet më të cenueshme./Gazeta Shneta/


