Ndarja e foshnjës nga kujdestari kryesor, zakonisht nëna, shkakton një reagim të menjëhershëm biologjik të stresit në trupin e foshnjës, tregojnë studimet shkencore mbi zhvillimin e hershëm të fëmijëve.
Sipas hulumtimeve në fushën e zhvillimit të foshnjës, kur një foshnjë ndahet nga nëna, sistemi nervor e interpreton mungesën e saj si një situatë të mundshme rreziku, shkruan Pub Med, transmeton Gazeta Shneta.
Si rezultat, aktivizohet sistemi i stresit në organizëm: rritet hormoni i stresit (kortizoli), përshpejtohet rrahja e zemrës dhe frymëmarrja bëhet më e shpejtë.
Ekspertët theksojnë se ky reagim i fortë nuk është sjellje problematike apo “kapriço” e foshnjës. Përkundrazi, është një mekanizëm natyror i mbijetesës që e shtyn foshnjën të kërkojë siguri dhe mbrojtje nga personi që kujdeset për të.
Rikthimi i shpejtë i prindit, përqafimi, kontakti fizik dhe reagimi i ndjeshëm ndihmojnë sistemin nervor të foshnjës të qetësohet dhe të rikthehet në gjendje të balancuar.
Sipas specialistëve të zhvillimit të hershëm, përvojat e përsëritura të kujdesit të sigurt dhe reagimit të qëndrueshëm nga prindërit ndihmojnë trurin e foshnjës të zhvillojë më vonë aftësi më të mira për rregullim emocional, ndjenjë sigurie dhe qëndrueshmëri psikologjike.
Prania e nënës në muajt e parë të jetës nuk shërben vetëm si ngushëllim emocional, por edhe si një sinjal biologjik sigurie për sistemin nervor në zhvillim të foshnjës. /Gazeta Shneta/


