Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar zgjerimin e vaksinimit kundër Human Papilloma Virus (HPV), pas aprovimit të rekomandimit nga Ministria e Shëndetësisë e Kosovës dhe Komiteti Profesional Këshillues për Imunizim.
Sipas njoftimit të IKSHPK- së, vendimi bazohet në evidencën më të fundit shkencore dhe praktikat ndërkombëtare, me synim rritjen e mbrojtjes së popullatës ndaj infeksioneve me HPV dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe kancereve të tjera të lidhura me këtë virus tek të dy gjinitë, transmeton Gazeta Shneta.
Me këtë vendim, vaksinimi kundër HPV do të ofrohet në mënyrë vullnetare për të rinjtë deri në moshën 26 vjeç që nuk janë vaksinuar më parë.
Ndërkohë, personat e moshës 26 deri në 45 vjeç do të mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të mjekut, bazuar në vlerësimin individual të rrezikut dhe përfitimit.
Programi rutinë i vaksinimit për fëmijët 11–12 vjeç do të vazhdojë sipas kalendarit ekzistues të imunizimit.
IKSHPK thekson se HPV mbetet një nga shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës dhe sëmundjeve të tjera serioze.
Sipas IKSHPK-së, vaksina konsiderohet e sigurt dhe shumë efektive, veçanërisht kur merret para ekspozimit ndaj virusit, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun për lezione para-kanceroze dhe zhvillimin e kancerit.
Zgjerimi i vaksinimit pritet të ndikojë në uljen e rasteve të kancerit, rritjen e mbrojtjes tek të rinjtë dhe reduktimin e kostove të trajtimit në të ardhmen, duke përmirësuar kështu shëndetin e përgjithshëm të popullatës.
Vaksina do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në vend.
IKShPK u bën thirrje prindërve dhe qytetarëve që të informohen dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për përfitimet e vaksinimit./Gazeta Shneta/



