Një studim i ri sugjeron se disa infeksione të rënda mund të rrisin në mënyrë të pavarur rrezikun për demencë, edhe kur merren parasysh faktorë të tjerë shëndetësorë.
Hulumtimi i publikuar në revistën shkencore “PLOS Medicine”, analizoi të dhëna nga mbi 62,000 persona me demencë dhe mbi 300,000 individë kontrolli në Finlandë.
Studiuesit identifikuan 29 sëmundje që shfaqen para diagnostikimit të demencës dhe që lidhen me rritjen e rrezikut për rënie njohëse. Ndër më të rëndësishmet ishin çrregullimet mendore të lidhura me dëmtimin e trurit dhe sëmundja e Parkinsonit. Megjithatë, dy infeksione dolën si faktorë të pavarur: infeksionet bakteriale të paidentifikuara dhe cistiti, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se këto infeksione ndodhnin mesatarisht 5–6 vite përpara diagnostikimit të demencës.
Edhe pas analizimit të sëmundjeve të tjera shoqëruese, lidhja midis infeksioneve të rënda dhe demencës mbeti e fortë, duke sugjeruar një ndikim të drejtpërdrejtë.
Studiuesit vlerësuan se vetëm 11–14% e kësaj lidhjeje shpjegohej nga sëmundje të tjera.
Autori i studimit, Pyry Sipilä nga Universiteti i Helsinkit, theksoi se infeksionet mund të përshpejtojnë procesin e rënies njohëse, i cili zakonisht zhvillohet për vite ose dekada.
Edhe neurologu Brent Masel vlerësoi se infeksionet që kërkojnë shtrim në spital mund të jenë faktor i pavarur rreziku.
Ky studim forcon provat se infeksionet serioze nuk janë vetëm pasojë e problemeve shëndetësore, por mund të luajnë rol aktiv në zhvillimin e demencës, duke hapur rrugë për kërkime dhe parandalim më të avancuar. /Gazeta Shneta/


