Një studim i ri sugjeron se medikamentet e përdorura zakonisht për trajtimin e çrregullimit të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) tek fëmijët janë jo vetëm të sigurta në kohë afatgjate, por mund edhe të ulin rrezikun për zhvillimin e çrregullimeve psikotike në të ardhmen.
Studimi i publikuar në “JAMA Psychiatry”, i realizuar nga studiues në Universitetin e Dublinit dhe Universitetin e Edinburgut, analizoi të dhëna nga rreth 700,000 persona në Finlandë, përfshirë afro 4,000 me diagnozë ADHD.
Rezultatet treguan se përdorimi i metilfenidatit – ilaçi më i zakonshëm për ADHD tek fëmijët – nuk rrit rrezikun për çrregullime psikotike si skizofrenia, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
ADHD është një nga çrregullimet më të përhapura, duke prekur rreth 8% të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Simptomat përfshijnë vështirësi në përqendrim, impulsivitet dhe hiperaktivitet. Edhe pse një përqindje e vogël e fëmijëve me ADHD zhvillojnë çrregullime psikotike në moshë madhore, studimi tregon se kjo nuk lidhet me përdorimin e medikamenteve.
Madje, studiuesit zbuluan se fëmijët që fillonin trajtimin me metilfenidat para moshës 13 vjeç kishin një rrezik pak më të ulët për zhvillimin e psikozës më vonë në jetë.
Kjo sugjeron se trajtimi i hershëm mund të ketë efekt mbrojtës përveç menaxhimit të simptomave.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme, sidomos për lloje të tjera ilaçesh dhe për të rriturit me ADHD.
Në përgjithësi, gjetjet ofrojnë siguri për mjekët dhe familjet se trajtimi standard nuk rrit rrezikun për psikozë. /Gazeta Shneta/


