Në trupin e njeriut ekzistojnë dy lloje kryesore të kolesterolit: HDL, i njohur si kolesteroli “i mirë”, dhe LDL, i quajtur kolesteroli “i keq”.
HDL ndihmon në mbrojtjen e enëve të gjakut duke transportuar kolesterolin e tepërt drejt mëlçisë, ku ai riciklohet ose eliminohet. Në të kundërt, LDL, kur është në nivele të larta, depoziton kolesterol në muret e brendshme të arterieve, duke krijuar pllaka që i ngushtojnë ato dhe e bëjnë më të vështirë qarkullimin e gjakut. Ky proces njihet si aterosklerozë.
Personat me aterosklerozë kanë rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare aterosklerotike, si sëmundja koronare e zemrës, sëmundja e arterieve periferike dhe goditja në tru, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Zakonisht, nivelet e larta të LDL trajtohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës, si ushqimi i shëndetshëm dhe aktiviteti fizik, si dhe me medikamente.
Një studim i ri i botuar në “The New England Journal of Medicine”, sugjeron se ulja më agresive e kolesterolit LDL, përtej objektivave tradicionale, mund të zvogëlojë më tej rrezikun për ngjarje të mëdha kardiovaskulare.
Në këtë studim me mbi 3,000 pjesëmarrës me sëmundje ekzistuese të zemrës, u krahasuan dy objektiva: më pak se 55 mg/dL dhe më pak se 70 mg/dL.
Rezultatet tregojnë se sa më i ulët të jetë niveli i LDL, aq më i vogël është rreziku për infarkt ose goditje në tru.
Edhe pse objektivi tradicional prej 70 mg/dL bazohet në studime të mëparshme, ekspertët theksojnë se ulja edhe më e madhe mund të jetë më e dobishme, veçanërisht për pacientët me rrezik shumë të lartë. /Gazeta Shneta/


