Kompania farmaceutike Eli Lilly ka nënshkruar një marrëveshje të re me kompaninë bioteknologjike “Insilico Medicine”, për të zhvilluar dhe komercializuar ilaçe të krijuara plotësisht nga inteligjenca artificiale (AI). Marrëveshja, e shpallur të dielën, arrin vlerën deri në 2.75 miliardë dollarë (rreth 2.39 miliardë euro).
Sipas marrëveshjes, Eli Lilly do të përdorë platformën e avancuar të AI të Insilico për të përshpejtuar zbulimin dhe zhvillimin e terapive të reja në fusha të ndryshme mjekësore.
Alex Zhavoronkov, themelues dhe drejtor ekzekutiv i Insilico, theksoi se kompania ka zhvilluar teknologji të mësimit të thellë për të mbuluar të gjithë procesin e krijimit të barnave, nga ideja deri te produkti final, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ai shtoi se bashkëpunimi synon të sjellë terapi transformuese për sëmundje që aktualisht kanë mungesë trajtimesh efektive, duke e cilësuar këtë partneritet si dëshmi të fuqisë së AI në përballimin e sfidave komplekse shëndetësore.
Insilico është një kompani globale në fazë klinike që përdor AI gjeneruese për të kombinuar biologjinë, kiminë dhe analizën klinike përmes platformës së saj “Pharma.AI”, me qëllim identifikimin e objektivave të reja dhe krijimin e molekulave të reja farmaceutike.
Sipas marrëveshjes, Eli Lilly fiton të drejta ekskluzive globale për zhvillimin, prodhimin dhe tregtimin e terapive orale të reja në fazë paraklinike për indikacione të caktuara.
Andrew Adams theksoi se kjo teknologji plotëson ekspertizën e kompanisë në zhvillimin klinik dhe do të përshpejtojë identifikimin e barnave kandidate premtuese.
Insilico do të marrë 115 milionë dollarë parapagim, me mundësi shtesash bazuar në arritjet zhvillimore dhe shitjet e ardhshme. /Gazeta Shneta/


