Rreth 589 milionë të rritur në mbarë botën jetonin me diabet në vitin 2024, ndërsa 90% e tyre vuanin nga diabeti i tipit 2. Ky lloj diabeti, i lidhur me çrregullimet në funksionimin e insulinës, njihet gjithashtu si një faktor i rëndësishëm rreziku për zhvillimin e demencës.
Një studim i ri sugjeron se disa ilaçe për diabetin mund të kenë efekte mbrojtëse për trurin.
Sipas gjetjeve, personat që përdornin agonistët e receptorëve GLP-1 kishin një rrezik dukshëm më të ulët për të zhvilluar demencë, krahasuar me ata që trajtoheshin me metforminë, shkruan Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Dr. Szu-Yuan Wu, profesor i onkologjisë dhe farmakoepidemiologjisë në Universitetin Aziatik dhe drejtor i Qendrës së të Dhënave të Mëdha në Spitalin Lotung Poh-Ai në Tajvan, theksoi se “diabeti i tipit 2 nuk është vetëm një çrregullim metabolik, por edhe një faktor i rëndësishëm rreziku për demencë, veçanërisht për sëmundjen e Alzheimerit dhe format e tjera jo-vaskulare të saj.”
Sipas tij, personat me diabet të tipit 2 kanë rreth 1.7 herë më shumë gjasa të zhvillojnë demencë krahasuar me popullatën e përgjithshme, duke rritur barrën si për familjet ashtu edhe për sistemet shëndetësore.
Studimi, i publikuar në revistën “BMJ Open Diabetes Research & Care”, thekson potencialin e agonistëve GLP-1 në ruajtjen e shëndetit të trurit tek pacientët me diabet. /Gazeta Shneta/


