Një studim i ri shkencor ka ngritur shqetësime serioze për përdorimin e inteligjencës artificiale në mjekësi, duke treguar se modelet e avancuara të gjuhës dështojnë në më shumë se 80% të rasteve për të dhënë një diagnozë fillestare të saktë.
Hulumtimi, i realizuar nga Mass General Brigham dhe i publikuar në revistën JAMA Network Open, vlerësoi performancën e 21 modeleve të inteligjencës artificiale, përfshirë versionet më të fundit të sistemeve si GPT, Gemini dhe Claude, shkruan Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas studiuesve, edhe pse këto modele arrijnë rezultate relativisht të mira kur u jepen të dhëna të plota klinike, ato kanë vështirësi serioze në fazën fillestare të diagnozës – e njohur si diagnoza diferenciale.
Kjo fazë konsiderohet thelbësore në praktikën mjekësore, pasi ndihmon në dallimin e një sëmundjeje nga të tjera me simptoma të ngjashme.
“Modelet janë të mira në dhënien e një diagnoze përfundimtare kur informacioni është i plotë, por dështojnë në fillim, kur informacioni është i kufizuar,” theksojnë autorët e studimit.
Studimi tregoi se saktësia e inteligjencës artificiale përmirësohet ndjeshëm kur i shtohen të dhëna si analizat laboratorike dhe imazheria.
Megjithatë, në kushtet reale, ku mjekët duhet të marrin vendime me informacion të kufizuar, performanca e AI mbetet e dobët.
Në diagnozën përfundimtare, saktësia e modeleve varionte nga rreth 60% deri mbi 90%, në varësi të modelit.
Ekspertët theksojnë se, pavarësisht përparimeve teknologjike, inteligjenca artificiale nuk është ende gati për përdorim të pavarur në praktikën klinike.
Ata rekomandojnë që këto sisteme të përdoren vetëm si mjete ndihmëse dhe gjithmonë nën mbikëqyrjen e profesionistëve shëndetësorë.
“Gjykimi klinik i mjekut mbetet i pazëvendësueshëm,” theksojnë studiuesit, duke paralajmëruar publikun që të mos mbështetet vetëm te AI për vendime që lidhen me shëndetin./Gazeta Shneta/


