Një studim i ri sugjeron se një analizë gjaku që mat biomarkerin pTau217 mund të zbulojë shenja të hershme të sëmundjes së Alzheimerit shumë vite para se simptomat të shfaqen ose para se ndryshimet të jenë të dukshme në skanimet e trurit.
Sipas studiuesve, nivelet e larta të proteinës pTau217 te të rriturit pa probleme me kujtesën lidhen me grumbullim më të shpejtë të proteinave të dëmshme në tru dhe me rënie të aftësive mendore në të ardhmen, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi zbulon gjithashtu se ndryshimet në pTau217 shpesh ndodhin para se skanimet PET të dalin pozitive, duke sugjeruar se kjo analizë gjaku mund të jetë një mjet më i ndjeshëm për zbulimin e hershëm të sëmundjes.
Në të kundërt, nivelet e ulëta të pTau217 lidhen me një rrezik më të vogël për zhvillimin e ndryshimeve të rëndësishme të Alzheimerit gjatë shumë viteve.
Sot, diagnostikimi i Alzheimerit zakonisht bazohet në një kombinim të historisë mjekësore, testeve njohëse, ekzaminimeve neurologjike dhe skanimeve të trurit. Megjithatë, gjithnjë e më shumë prova tregojnë se proteinat specifike mund të luajnë rol kyç në diagnostikimin më të hershëm të sëmundjes, pasi ato mund të shfaqen vite para simptomave klinike.
Studiues nga “Mass General Brigham”, ndoqën 317 të rritur pa probleme njohëse për rreth tetë vjet, duke i monitoruar përmes analizave të gjakut, skanimeve të trurit dhe testeve njohëse. Ata zbuluan se individët me nivele më të larta fillestare të pTau217 përjetonin përparim më të shpejtë të ndryshimeve të lidhura me Alzheimerin, përfshirë akumulimin e amiloidit dhe tau proteinave.
Veçanërisht, rritjet e pTau217 shpesh u shfaqën përpara se skanimet PET të tregonin shenja të qarta të sëmundjes. Kjo sugjeron se biomarkeri mund të identifikojë aktivitetin e sëmundjes në një fazë më të hershme sesa metodat tradicionale të imazherisë.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo analizë nuk rekomandohet ende për skrining të përgjithshëm tek të moshuarit pa simptoma, pasi përfitimet klinike të ndërhyrjes shumë të hershme ende nuk janë të qarta.
Sipas tyre, testi mund të jetë më i dobishëm për vlerësimin e pacientëve me shenja të hershme të dëmtimit njohës dhe për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në studime shkencore. /Gazeta Shneta/


