Bakteret e zorrëve mund të luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin e një alergjie të rrallë, por serioze ushqimore te fëmijët, sipas një studimi të ri.
Studiuesit zbuluan se fëmijët me sindromën enterokolite të shkaktuar nga proteinat ushqimore (FPIES) kanë përbërje të ndryshme të baktereve të zorrëve krahasuar me fëmijët e shëndetshëm.
Sindroma e enterokolitit të shkaktuar nga proteinat ushqimore është një lloj alergjie ushqimore që nuk shfaqet në mënyrën klasike me skuqje të lëkurës apo vështirësi në frymëmarrje.
Simptomat shfaqen më ngadalë dhe prekin kryesisht sistemin tretës. Gjendja zakonisht fillon në foshnjëri dhe mund të shkaktojë të vjella të forta, diarre dhe probleme me qarkullimin e gjakut. Ky studim u publikua në “The Journal of Allergy and Clinical Immunology”.
Për hulumtimin, sipas burimit Health Day, u krahasuan mostrat e jashtëqitjes nga 56 fëmijë me këtë sindromë të sapodiagnostikuar dhe 43 fëmijë pa alergji.
Rezultatet treguan ndryshime të qarta në mikrobiomën e zorrëve. Fëmijët me sindromën FPIES kishin nivele më të ulëta të baktereve të dobishme si Bifidobacterium dhe Verrucomicrobiota, ndërsa disa baktere të tjera si Bacteroides, Haemophilus dhe Veillonella ishin më të shumta.
Ekspertët shpjegojnë se Bifidobacterium ndihmon në tretjen e qumështit të gjirit, mbështet shëndetin e zorrëve dhe ndikon në zhvillimin e sistemit imunitar te foshnjat.
Ndërsa Verrucomicrobiota ndihmon në ruajtjen e barrierës mbrojtëse të zorrëve, duke penguar depërtimin e substancave që mund të shkaktojnë alergji.
Megjithatë, studiuesit ende nuk e dinë saktësisht pse disa fëmijë zhvillojnë këtë profil bakterial. Faktorë si lindja me prerje cezariane apo përdorimi i antibiotikëve nuk e shpjegojnë plotësisht problemin.
Sipas ekspertëve, këto gjetje mund të hapin rrugën për metoda më të personalizuara të diagnostikimit, parandalimit dhe trajtimit në të ardhmen, megjithëse nevojiten kërkime të mëtejshme. /Gazeta Shneta/


