Gjatë shtatzënisë, ndryshimet hormonale sidomos rritja e estrogjenit ndikojnë drejtpërdrejt në flokët tuaj. Shumë gra vërejnë se flokët bëhen më të trashë, më të fortë dhe rriten më shpejt se zakonisht. Kjo ndodh sepse cikli natyror i rritjes së flokut ndryshon: më pak flokë bien dhe më shumë qëndrojnë në fazën e rritjes për një kohë më të gjatë.
Në disa raste, mund të shfaqen qime edhe në zona ku nuk kanë qenë më parë, si barku, pjesa e poshtme e shpinës apo kofshët. Këto ndryshime janë normale dhe zakonisht të përkohshme.
Një shqetësim i zakonshëm është nëse mund të lyhen flokët gjatë shtatzënisë.
Ekspertët konfirmojnë se ngjyrosja e flokëve është e sigurt, pasi kimikatet në bojë nuk përthithen lehtë nga skalpi dhe nuk arrijnë në fetus.
Megjithatë, për më shumë siguri, disa gra zgjedhin të presin deri pas tremujorit të parë ose të përdorin alternativa më të buta si bojërat bimore.
Gjithashtu rekomandohet të ndiqen disa masa paraprake: të mos lihet boja më gjatë se koha e këshilluar, të shpëlahet mirë dhe, nëse është e mundur, të kryhet trajtimi në sallon profesional.
Nga ana tjetër, ka disa produkte që duhen shmangur. Medikamente për rënien e flokëve si minoksidili apo spironolaktoni nuk rekomandohen gjatë shtatzënisë. Po ashtu, trajtimet për drejtimin e flokëve që përmbajnë formaldehid duhen evituar, pasi kjo substancë njihet si kancerogjene.
Përsa i përket heqjes së qimeve, shumica e metodave janë të sigurta. Kremrat depilues, dylli, sprejet dhe madje edhe trajtimet me lazer mund të përdoren gjatë shtatzënisë.
Megjithatë, lëkura mund të bëhet më e ndjeshme, ndaj është e këshillueshme të testohet produkti në një zonë të vogël përpara përdorimit të plotë.
Edhe trajtimi i morrave është i sigurt në shumicën e rasteve. Metoda si krehja me balsam, përdorimi i vajrave apo produkteve pa recetë janë të lejuara. Megjithatë, medikamentet më të forta me recetë duhet të shmangen, përveç nëse rekomandohen nga mjeku.
Pas lindjes, shumë gra përjetojnë rënie të flokëve, zakonisht 2 deri në 4 muaj më pas. Kjo është një fazë normale dhe nuk do të çojë në tullaci. Flokët zakonisht rikthehen në gjendjen e tyre normale brenda një viti. Nëse rënia është e tepërt ose vazhdon më gjatë, këshillohet konsultë me mjekun.
Në përgjithësi, shumica e ndryshimeve të flokëve gjatë shtatzënisë janë të përkohshme dhe pjesë e procesit natyror të trupit. Me kujdesin e duhur dhe informimin e saktë, mund të menaxhohen lehtësisht dhe pa rrezik për nënën dhe foshnjën.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


