Një përqindje e vogël e njerëzve arrijnë të konsumojnë sasinë e rekomanduar të fibrave çdo ditë.
Një studim i fundit sugjeron se marrja e një sasie më të madhe fibrash në mëngjes mund të ndihmojë në rritjen e ndjesisë së ngopjes dhe përmirësimin e shëndetit të zorrëve. Megjithatë, ekspertët theksojnë se shpërndarja e fibrave gjatë gjithë ditës mbetet zgjedhja më e mirë, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, i publikuar në një revistë shkencore të ushqyerjes, krahasoi efektet e mëngjeseve të pasura me proteina dhe atyre të pasura me fibra në humbjen e peshës.
Pjesëmarrësit konsumuan pothuajse gjysmën e kalorive ditore në mëngjes. Ata që konsumuan të paktën 30 gram fibra në ditë raportuan kontroll më të mirë të oreksit dhe ndjesi më të madhe ngopjeje krahasuar me grupin me më pak fibra.
Të dy grupet përjetuan ngopje më të mirë pas vakteve, por ndryshimi kryesor u vu re në shëndetin e zorrëve.
Konsumi i lartë i fibrave lidhej me një mikrobiomë më të shëndetshme, pasi fibrat shërbejnë si ushqim për bakteret e dobishme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se konsumimi i një sasie të madhe fibrash në një vakt të vetëm mund të shkaktojë shqetësime si fryrje, gazra, kapsllëk apo edhe diarre, sidomos tek ata që sapo po rrisin marrjen e fibrave.
Prandaj rekomandohet që sasia ditore prej 25–30 gramësh të ndahet në vakte më të vogla gjatë ditës.
Mëngjesi është një mundësi e mirë për t’i përfshirë ato, por edhe vakte të tjera mund të pasurohen lehtësisht. Shtimi i frutave, perimeve, drithërave të plota dhe bishtajoreve në dietë është një mënyrë e thjeshtë dhe efektive për të përmirësuar shëndetin.
/Gazeta Shneta/


