Kur mbi një milion njerëz aplikuan për Maratonën e Londrës 2026, Andy Spary nuk ishte në mesin e tyre. Në atë periudhë, ai sapo kishte marrë një diagnozë që do t’i ndryshonte jetën.
Në vitin 2024, ai po trajtohej për një absces që fillimisht mendohej të lidhej me sëmundjen e tij Krohn. Mjekët i rekomanduan një rezonancë magnetike dhe i thanë se “nuk kishte arsye për shqetësim”. Por më pas u zbulua se bëhej fjalë për kancer të zorrës së trashë në fazën e tretë.
Dy vjet më vonë, ai përfundoi për herë të parë Maratonën e Londrës në kohën 3 orë e 25 minuta. Në këtë periudhë ai kaloi trajtime të rënda, përfshirë operacionin për stoma, kimioterapi dhe radioterapi.
Pavarësisht gjithçkaje, ai nuk ndaloi së vrapuari. “Pas kimioterapisë ndihesha shumë keq për disa ditë, por më pas kthehesha përsëri në vrap,” tha ai.
Ai e ndau hapur historinë e tij në rrjete sociale dhe thotë se mbështetja e familjes dhe miqve e ndihmoi shumë. Më vonë iu nënshtrua një operacioni të madh për heqjen e tumorit dhe indeve përreth, si dhe ndërhyrjeve rikonstruktive. Në fillim nuk mund të ecte mirë, por pas disa muajsh rifilloi stërvitjen dhe vrapoi gjysmë-maratonat dhe më pas maratonën.
Përmes një organizate bamirësie që mbështet të rinjtë me kancer përmes aktivitetit fizik, ai mori pjesë në Maratonën e Londrës dhe ka mbledhur mijëra euro për këtë kauzë.
Ai thotë se dëshiron të thyejë stigmat për kancerin dhe thekson rëndësinë e zbulimit të hershëm të simptomave si dhimbje, gjak në jashtëqitje ose ndryshime në tretje.
Sipas tij, shpresa, mbështetja dhe aktiviteti fizik janë pjesë e rëndësishme e rikuperimit. /Gazeta Shneta/


