Një studim i ri ka treguar se modelet e inteligjencës artificiale po arrijnë, ndërsa në disa raste po tejkalojnë mjekët në detyra të ndërlikuara të arsyetimit mjekësor, përfshirë diagnozën dhe menaxhimin e pacientëve.
Hulumtimi është realizuar nga studiues të Shkollës Mjekësore të Harvardit dhe Qendrës Mjekësore Beth Israel Deaconess në SHBA. Ata krahasuan performancën e inteligjencës artificiale me atë të mjekëve në skenarë të ndryshëm klinikë.
Sipas rezultateve, modelet e avancuara të gjuhës kanë treguar performancë më të lartë në disa fusha kyçe, si vendimmarrja në raste emergjente, identifikimi i diagnozave të mundshme dhe përcaktimi i hapave të trajtimit.
“Ne e testuam modelin në pothuajse çdo standard dhe ai tejkaloi si versionet e mëparshme, ashtu edhe mjekët në krahasim”, tha Arjun Manrai, bashkautor i studimit.
Studiuesit analizuan modelin e ri në një sërë rastesh klinike, duke përfshirë të dhëna reale nga repartet e emergjencës dhe raste të publikuara mjekësore. Në shumicën e testeve, inteligjenca artificiale doli më e saktë, sidomos në arsyetimin klinik dhe në situata me informacion të kufizuar.
Një nga rezultatet më të dukshme u pa në fazën e triazhit, ku informacioni për pacientin është minimal. Edhe në këto kushte, modeli performoi më mirë se mjekët dhe përmirësohej me shtimin e të dhënave.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk nënkuptojnë zëvendësimin e mjekëve. Sipas tyre, përdorimi i inteligjencës artificiale në mjekësi kërkon kujdes dhe testim të mëtejshëm në kushte reale.
Autorët shtojnë se AI mund të ndihmojë në uljen e gabimeve dhe përmirësimin e kujdesit shëndetësor, por vendimmarrja duhet të mbetet gjithmonë te profesionistët shëndetësorë.


