Një studim i ri sugjeron se dieta e fëmijëve mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor dhe në sjellje që në moshë të hershme.
Hulumtimi, i realizuar nga studiues të Universiteti i Agderit në Norvegji dhe i publikuar në revistën shkencore Nutrients, ka gjetur lidhje të forta mes konsumit të ushqimeve dhe problemeve të ndryshme të sjelljes te fëmijët e vegjël.
Sipas rezultateve, fëmijët që konsumojnë më shumë fruta dhe perime shfaqin më pak probleme të brendshme si ankthi, depresioni dhe tërheqja sociale.
Në të kundërt, ata që konsumojnë më shpesh ushqime të ëmbla dhe të kripura kanë më shumë vështirësi në kontrollin e sjelljes, përfshirë agresivitetin dhe problemet me vëmendjen.
Studimi ka analizuar të dhënat e 363 fëmijëve katërvjeçarë dhe nënave të tyre, si pjesë e një projekti më të gjerë kërkimor në Norvegji që synon përmirësimin e ushqyerjes në vitet e para të jetës.
Autorët theksojnë se problemet e shëndetit mendor janë në rritje në nivel global dhe identifikimi i faktorëve të parandalueshëm, si dieta, është veçanërisht i rëndësishëm në fëmijërinë e hershme.
Sipas tyre, shëndeti mendor në këtë fazë ka ndikim të drejtpërdrejtë në suksesin shkollor, aftësitë sociale dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës, duke ndikuar edhe në mirëqenien e tij në të ardhmen.
Studimi vë në pah se problemet e sjelljes shpesh fillojnë para moshës pesëvjeçare dhe mund të vazhdojnë edhe gjatë viteve shkollore, çka e bën edhe më të rëndësishëm rolin e faktorëve si ushqyerja në këtë periudhë.


