Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë detaje lidhur me foshnjën e vdekur në Emergjencën e këtij institucioni.
Një ngjarje e rëndë është regjistruar më 6 maj 2026 në hapësirat e Shërbimit Emergjent të Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt, ku një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta shpëtuar, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas njoftimit zyrtar të spitalit, një paciente ishte paraqitur në emergjencë me ankesa për obstipacion (kapsllëk). Në një moment, ajo kishte hyrë në tualet dhe kishte mbyllur derën nga brenda.
Stafi mjekësor kishte dëgjuar zërin e një foshnjeje dhe, pas insistimit për hapjen e derës, kishte arritur të hyjë në hapësirë. Sipas spitalit, nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte vendosur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me hipotermi.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, ekipet mjekësore kanë ndërmarrë masa emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Në trajtim janë përfshirë ekipe multidisiplinare, përfshirë edhe anesteziologun, duke nisur procedurat reanimatore.
Megjithatë, pavarësisht trajtimit intensiv dhe përpjekjeve të stafit shëndetësor, foshnja nuk ka arritur të mbijetojë.
Spitali bëri të ditur se menjëherë pas identifikimit të rastit janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë nisur hetimet. Në proces janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave hetimore.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është thënë se institucioni po bashkëpunon plotësisht me organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa për shkak të hetimeve dhe ruajtjes së privatësisë së palëve të përfshira nuk janë dhënë detaje të tjera. /Gazeta Shneta/




