Një studim i ri ka zbuluar se ecja pas operacionit mund të ndikojë ndjeshëm në rikuperimin e pacientëve dhe në uljen e rrezikut të komplikimeve.
Sipas hulumtimit të publikuar në “Journal of the American College of Surgeons”, çdo 1 mijë hapa shtesë që një pacient bën gjatë ditës pas operacionit lidhen me më pak komplikime dhe me rikuperim më të shpejtë.
Studiuesit monitoruan afro 2 mijë pacientë që iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale dhe që mbanin pajisje për matjen e aktivitetit fizik gjatë qëndrimit në spital, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se çdo 1 mijë hapa shtesë në ditë pas operacionit shoqëroheshin me 18 për qind më pak gjasa për komplikime, 16 për qind më pak gjasa për rikthim në spital dhe me qëndrim më të shkurtër në spital.
Kirurgu Timothy Pawlik nga Qendra Mjekësore Universitare “Ohio State Wexner” tha se pajisjet që matin aktivitetin fizik po ndihmojnë mjekët të kuptojnë më mirë procesin e rikuperimit të pacientëve.
“Ne u themi pacientëve që duhet të ngrihen dhe të ecin pas operacionit, por nuk kemi pasur një pasqyrë të qartë se sa po lëvizin realisht. Tani mund ta shohim këtë në mënyrë objektive”, ka deklaruar ai.
Sipas studiuesve, rezultatet ishin të njëjta edhe pasi u morën parasysh faktorë si mosha, gjinia dhe niveli i rrezikut kirurgjikal.
Ata theksojnë se numri i hapave mund të përdoret si tregues i rëndësishëm për gjendjen e pacientit dhe për të përcaktuar nëse ai ka nevojë për më shumë mbështetje, terapi fizikale apo monitorim më të afërt.


