Kanceri i gjirit mbetet forma më e zakonshme e kancerit tek gratë në pothuajse të gjitha vendet e botës. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 99% e rasteve diagnostikohen tek gratë, ndërsa çdo vit rreth 2.3 milionë gra preken nga kjo sëmundje. Rreth 75% e rasteve janë të tipit ER-pozitiv, që do të thotë se rritja e tumorit nxitet nga hormoni estrogjen.
Trajtimi standard për këtë lloj kanceri përfshin barna anti-estrogjene, si letrozoli, të cilat reduktojnë prodhimin e estrogjenit dhe ndihmojnë në parandalimin e rikthimit të sëmundjes, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Megjithatë, këto terapi shpesh shoqërohen me efekte anësore të ngjashme me simptomat e menopauzës, përfshirë afshet e nxehta, dhimbjet e kyçeve dhe muskujve, humbjen e densitetit kockor dhe rritjen e nivelit të kolesterolit.
Një studim i ri, i quajtur “PIONEER” dhe i publikuar në revistën “Nature Cancer”, ka zbuluar se progesteronët artificialë, si megestrol acetati, mund të ofrojnë përfitime shtesë për pacientet me kancer gjiri ER-pozitiv.
Këto medikamente përdoren zakonisht për të lehtësuar efektet anësore të trajtimit hormonal, por studiuesit zbuluan se ato mund të ngadalësojnë edhe rritjen e tumorit.
Rezultatet treguan se edhe në doza të ulëta, kombinimi i megestrol acetatit me letrozolin uli përhapjen qelizore të tumorit.
Në studim morën pjesë 244 gra me kancer gjiri në fazë të hershme nga 10 spitale në Mbretërinë e Bashkuar, të ndara në tre grupe trajtimi.
Sipas studiuesve, ky kombinim mund të përmirësojë tolerimin dhe vazhdimësinë e terapisë, duke ndikuar njëkohësisht pozitivisht në kontrollin e tumorit.
Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të konfirmuar plotësisht këto rezultate. /Gazeta Shneta/


