Një studim i ri nga Suedia sugjeron se personat që mbartin variante gjenetike të lidhura me sëmundjen e Alzheimerit mund të përfitojnë nga një konsum më i lartë i mishit, duke ulur rrezikun për rënie njohëse dhe demencë.
Hulumtimi i publikuar në revistën “JAMA Network Open”, analizoi mbi 2,100 persona mbi moshën 60-vjeçare për një periudhë deri në 15 vite.
Studiuesit u fokusuan te individët me variantet gjenetike APOE 3/4 dhe APOE 4/4, të cilat konsiderohen ndër faktorët më të fuqishëm të rrezikut për zhvillimin e Alzheimerit, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit me këto variante, të cilët konsumonin më shumë mish, kishin rënie më të ngadaltë të funksioneve njohëse dhe rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës.
Në anën tjetër, personat me konsum më të ulët të mishit kishin më shumë se dyfish rrezik për t’u prekur nga demenca.
Sipas studiuesve, rëndësi ka edhe cilësia e mishit. Konsumi i mishit të papërpunuar, si mishi i kuq dhe shpendët, u shoqërua me rezultate më të favorshme shëndetësore dhe me rrezik më të ulët vdekshmërie te ky grup.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se studimi është vëzhgues dhe nuk provon drejtpërdrejt se konsumimi i mishit ul rrezikun e demencës.
Ata kërkojnë më shumë kërkime për të kuptuar më mirë lidhjen mes dietës, gjenetikës dhe shëndetit të trurit.
Gjetjet hapin rrugë për qasje më të personalizuara në rekomandimet ushqimore dhe parandalimin e sëmundjeve neurodegjenerative. /Gazeta Shneta/


