Edhe pas kalimit të fazës akute të infeksionit me hantavirus, shumë pacientë vazhdojnë të përballen me probleme fizike dhe psikologjike për muaj të tërë, sugjeron një studim i realizuar në Kili.
Hulumtimi është fokusuar tek të mbijetuarit e sindromës kardiopulmonare nga hantavirusi (HCPS), një formë e rëndë e sëmundjes që shkakton probleme serioze në mushkëri dhe zemër dhe që mund të ketë shkallë vdekshmërie deri në 50 për qind.
Studiuesit nga Universiteti Katolik Papnor i Kilit kanë ndjekur 21 pacientë për një periudhë prej tre deri në gjashtë muaj pas daljes nga spitali.
Sipas rezultateve, asnjë prej pacientëve nuk ishte rikuperuar plotësisht gjatë kësaj periudhe. Të gjithë raportuan të paktën një simptomë të vazhdueshme, ndërsa më shumë se 60 për qind thanë se nuk ishin kthyer plotësisht në gjendjen e mëparshme shëndetësore.
Simptomat më të zakonshme përfshinin lodhjen, problemet motorike, rënien e flokëve, pagjumësinë, ankthin, problemet me kujtesën, makthet dhe çrregullimet shqisore.
Studiuesit theksojnë se simptomat afatgjata janë vërejtur edhe tek pacientët që nuk kishin kaluar forma shumë të rënda të sëmundjes, duke sugjeruar se rikuperimi i zgjatur nuk lidhet vetëm me trajtimin intensiv në spital.
Shumë pacientë kanë raportuar gjithashtu vështirësi në rikthimin në jetën normale. Gati një në pesë persona nuk ishte kthyer ende në punë apo shkollë gjashtë muaj pas infektimit, ndërsa ata që ishin rikthyer kishin raportuar performancë të reduktuar.
Një pjesë e pacientëve thanë se kishin përjetuar izolim social dhe stigmatizim për shkak të frikës nga infektimi.
Ekspertët thonë se studimi është i kufizuar për shkak të numrit të vogël të pjesëmarrësve, megjithatë rezultatet sugjerojnë nevojën për kujdes afatgjatë dhe mbështetje psikologjike për pacientët që kalojnë forma të rënda të hantavirusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka theksuar se hantavirusi nuk paraqet rrezik për një pandemi të ngjashme me COVID-19, ndërsa transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet shumë i rrallë.


