Një studim i ri ka ngritur dyshime mbi efektivitetin e një ndërhyrjeje të zakonshme kirurgjikale për osteoartritin e gjurit. Bëhet fjalë për heqjen e pjesshme të meniskut, një procedurë që për vite është përdorur për të trajtuar dhimbjet dhe dëmtimet në gju.
Sipas studiuesve finlandezë, kjo ndërhyrje jo vetëm që mund të mos sjellë përmirësim afatgjatë, por mund të përkeqësojë gjendjen e pacientëve, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Studimi krahasoi pacientët që kishin bërë operacion për heqjen e pjesëve të dëmtuara të meniskut me ata që kishin kaluar një ndërhyrje “false”, ku nuk ishte hequr asnjë pjesë e kërcit.
Pas 10 vitesh, pacientët që nuk kishin bërë heqjen e meniskut raportuan më pak dhimbje, lëvizshmëri më të mirë dhe më pak shenja të osteoartritit.
Ekspertët thonë se për shumë vite besohej se çarja e meniskut ishte burimi kryesor i dhimbjes së gjurit.
Megjithatë, studimet e fundit tregojnë se dhimbja lidhet më shumë me proceset inflamatore dhe ndryshimet kronike në nyje sesa vetëm me dëmtimin e meniskut.
Mjekët rekomandojnë që trajtimi fillimisht të fokusohet tek metodat jo kirurgjikale, si fizioterapia, aktiviteti fizik i kontrolluar, ilaçet kundër inflamacionit, pushimi, akulli dhe injeksionet terapeutike.
Ushtrimet si biçikleta mund të ndihmojnë në ruajtjen e lëvizshmërisë së gjurit.
Kirurgjia mbetet e nevojshme vetëm në raste specifike, sidomos kur menisku është zhvendosur ose dëmtimi shkakton probleme serioze mekanike në gju.
Në shumicën e rasteve, trajtimet alternative po konsiderohen më efektive për shëndetin afatgjatë të nyjeve. /Gazeta Shneta/


