Edhe pse shumë pacientë i mbijetojnë infeksionit me hantavirus, studime të reja tregojnë se shërimi i plotë mund të zgjasë me muaj dhe shpesh shoqërohet me probleme të vazhdueshme fizike dhe psikologjike. Interesi për efektet afatgjata të virusit është rritur pas pandemisë COVID-19, duke nxitur krahasime me fenomenin e njohur si COVID i zgjatur (Long Covid).
Hantavirusi, veçanërisht virusi Andes, mund të shkaktojë një sëmundje të rëndë të frymëmarrjes të quajtur sindroma kardiopulmonare nga hantavirusi (HCPS), e cila ka shkallë vdekshmërie deri në 50%, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), nuk ka prova që ky virus mund të shkaktojë një pandemi si COVID-19, por mungesa e vaksinës dhe trajtimeve antivirale e bën atë shqetësues.
Një studim në Kili ndoqi 21 persona që kishin mbijetuar infeksionin për 3 deri në 6 muaj pas daljes nga spitali.
Rezultatet treguan se asnjë pacient nuk ishte rikuperuar plotësisht. Më shumë se 60% thanë se vazhdonin të kishin probleme shëndetësore, ndërsa secili raportoi mesatarisht mbi 10 simptoma të vazhdueshme.
Simptomat më të zakonshme përfshinin lodhje të vazhdueshme, pagjumësi, ankth, probleme me kujtesën, humbje flokësh, çrregullime motorike dhe shqetësime neurologjike.
Shumë pacientë përdornin vetë ilaçe kundër dhimbjes apo për gjumë për të përballuar simptomat.
Studimi tregoi gjithashtu se rikthimi në jetën normale ishte i vështirë. Disa pacientë nuk ishin kthyer ende në punë apo shkollë edhe pas gjashtë muajsh dhe raportuan stigmatizim nga të tjerët për shkak të frikës nga infektimi.
Ekspertët theksojnë se pacientët me hantavirus kanë nevojë jo vetëm për trajtim emergjent, por edhe për kujdes afatgjatë fizik, psikologjik dhe social pas daljes nga spitali. /Gazeta Shneta/


