Ekspertët evropianë të shëndetësisë kanë vlerësuar se objektivi për krijimin e një “Gjenerate pa Duhan” deri në vitin 2040 nuk mund të arrihet pa mbështetje më të fuqishme nga Bashkimi Evropian dhe masa më të shpejta kundër produkteve të reja me nikotinë.
Kështu thuhet në një studim të publikuar nga Instituti Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie, i cili analizoi sfidat dhe mundësitë për zbatimin e politikave kundër duhanit në Evropë.
Sipas studimit, rritja e shpejtë e produkteve të reja me nikotinë dhe ndikimi i industrisë së duhanit po e vështirësojnë arritjen e objektivave për uljen e konsumit të duhanit dhe nikotinës.
Bashkimi Evropian ka vendosur si synim që deri në vitin 2040 përdorimi i produkteve të duhanit në popullatë të bjerë nën 5 për qind. Ky objektiv është pjesë e Planit Evropian Kundër Kancerit dhe është përforcuar së fundmi edhe në kuadër të Planit “Safe Hearts”.
Studimi thekson se përmbushja e këtij synimi kërkon angazhim të gjerë politik, bashkëpunim afatgjatë ndërmjet institucioneve dhe rol aktiv të shoqërisë civile.
Në anën tjetër, ndikimi i industrisë së duhanit në vendimmarrje, marketingu i dukshëm i produkteve të reja me nikotinë dhe vonesat në rregullimin ligjor po konsiderohen si pengesa kryesore.
Ekspertët e përfshirë në studim e vlerësuan rolin e BE-së si kyç në kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës, duke theksuar se rregulloret e përbashkëta mund të ndihmojnë vendet anëtare të ndërmarrin masa më të forta.
Studiuesja Hanna Ollila nga Instituti Finlandez për Shëndet dhe Mirëqenie deklaroi se rishikimi aktual i legjislacionit evropian për duhanin paraqet një mundësi të rëndësishme për përshpejtimin e progresit drejt objektivit për një “Gjeneratë pa Duhan”.




