Një studim i ri ka treguar se objektivi prej 10 mijë hapash në ditë nuk është domosdoshmërisht i nevojshëm për humbjen dhe ruajtjen e peshës.
Sipas hulumtimit të publikuar nga Shoqata Evropiane mbi Studimet e Obezitetit, rreth 8,500 hapa në ditë mund të jenë të mjaftueshëm për të ndihmuar njerëzit të shmangin rikthimin e kilogramëve të humbur, shkruan burimi Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Ekspertët theksojnë se shumica e personave që humbin peshë e rifitojnë atë brenda tre deri në pesë viteve.
Për këtë arsye, studiuesit kërkuan të gjejnë një mënyrë praktike dhe të qëndrueshme për ruajtjen e rezultateve afatgjata. Ata analizuan disa prova klinike me rreth 4 mijë pjesëmarrës që ndoqën programe të ndryshme për humbje peshe.
Rezultatet treguan se personat që kombinuan dietën me rritjen e aktivitetit fizik dhe monitorimin e hapave humbën mesatarisht rreth 4 kilogramë.
Në fund të fazës së dobësimit, ata arrinin mesatarisht 8,454 hapa në ditë, çka u lidh me rezultate më të mira në kontrollin e peshës.
Studiuesit rekomandojnë që ky nivel aktiviteti të vazhdojë edhe pas humbjes së peshës për të parandaluar rikthimin e saj. Ata paralajmërojnë gjithashtu se obeziteti po rritet me ritme shqetësuese në mbarë botën dhe mund të prekë deri në 30% të popullsisë globale deri në vitin 2035.
Mbipesha dhe obeziteti lidhen me sëmundje të shumta fizike dhe psikologjike, si dhe me rritjen e kostove shëndetësore. Për këtë arsye, ekspertët vazhdojnë të theksojnë rëndësinë e aktivitetit fizik të përditshëm dhe stilit të shëndetshëm të jetesës. /Gazeta Shneta/


