Personat që kanë përjetuar infarkt në zemër mund të kenë rrezik më të lartë për rënie të funksioneve njohëse dhe zhvillim të demencës, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Stroke.
Sipas hulumtimit, të mbijetuarit e infarktit kanë mesatarisht 5 për qind rrezik më të lartë në vit për zhvillimin e dëmtimeve njohëse, që përfshijnë probleme me kujtesën dhe të menduarit.
Autori kryesor i studimit, Dr. Mohamed Ridha, tha se një infarkt i kaluar mund të përshpejtojë rënien e kujtesës dhe aftësive mendore me kalimin e kohës.
“Duke pasur parasysh rritjen e rasteve me demencë dhe rënie njohëse, është e rëndësishme të kuptojmë se si sëmundjet kardiovaskulare ndikojnë në shëndetin e trurit”, deklaroi ai.
Në studim u përfshinë afro 21 mijë burra dhe gra, të cilët u ndoqën për një periudhë 10-vjeçare. Pjesëmarrësit iu nënshtruan ekzaminimeve mjekësore dhe elektrokardiogramës për të përcaktuar nëse kishin kaluar më herët infarkt.
Rreth 1,100 persona raportuan se kishin pasur infarkt, ndërsa te 804 pjesëmarrës u identifikua i ashtuquajturi “infarkt i heshtur”, i zbuluar vetëm përmes rezultateve të EKG-së.
Gjatë viteve të monitorimit, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve të thjeshta vjetore për vlerësimin e funksioneve njohëse.
Rezultatet treguan se personat që kishin kaluar infarkt të heshtur kishin rënie më të shpejtë të funksioneve të trurit krahasuar me ata që nuk kishin përjetuar infarkt.
Sipas studiuesve, kjo lidhje është veçanërisht e rëndësishme për gratë, pasi ato preken më shpesh nga infarktet e heshtura.
Ndërkaq, Dr. Elisabeth Marsh tha se infarkti mund të jetë shenjë e problemeve më të gjera të enëve të gjakut në organizëm, të cilat mund të ndikojnë edhe në tru dhe të rrisin rrezikun për goditje në tru dhe demencë./Gazeta Shneta/


