Vendosja e emrit të emocioneve, si ankthi apo frika, mund t’i ndihmojë personat me tipare autike të menaxhojnë më mirë ndjenjat e tyre, sugjeron një studim i ri i publikuar në revistën shkencore Scientific Reports.
Sipas studiuesve, personat me tipare të Autizmit shpesh përjetojnë më shumë ankth në situata të pasigurta, por një pjesë e tyre përdorin emërtimin e emocioneve si mënyrë për ta përballuar këtë gjendje.
Autori i studimit, Masahiro Hirai, tha se rezultatet tregojnë se vështirësia për t’u përballur me pasigurinë lidhet me tendencën më të madhe për t’i shprehur ndjenjat me fjalë, gjë që mund të ndihmojë në uljen e ankthit.
“Ndonëse emocionet nuk zhduken, ato mund të bëhen më pak të rënda pasi emërtohen”, kanë theksuar studiuesit.
Në kuadër të studimit, më shumë se 500 të rritur japonezë të moshës 20 deri në 39 vjeç plotësuan pyetësorë online lidhur me tiparet autike, mënyrën e përballimit të pasigurisë dhe nivelin e ankthit.
Rezultatet treguan se personat me më shumë tipare autike kishin tendencë të përjetonin ankth më të madh në situata të paqarta apo të paparashikueshme.
Studiuesit vlerësojnë se edhe familjarët apo personat e afërt mund të ndihmojnë duke i ndihmuar personat me autizëm të identifikojnë dhe shprehin emocionet e tyre. Për shembull, një familjar mund të thotë: “Mendoj se mund të ndihesh i shqetësuar për këtë”.
Megjithatë, autorët theksojnë se nevojiten studime të tjera për të konfirmuar më tej këto gjetje dhe për të parë nëse kjo qasje mund të përdoret si mbështetje për menaxhimin e ankthit te personat me autizëm.


