Përdorimi i antidepresivëve gjatë shtatzënisë nuk duket se rrit rrezikun për autizëm apo ADHD te fëmijët, sugjeron një analizë e re që ka përfshirë më shumë se gjysmë milioni shtatzëni.
Studimi, i publikuar në “The Lancet Psychiatry”, analizoi të dhënat nga 37 hulumtime që përfshinin afro 650 mijë shtatzëni me përdorim të antidepresivëve dhe rreth 25 milionë shtatzëni pa ekspozim ndaj këtyre barnave.
Fillimisht, rezultatet treguan një lidhje të mundshme mes përdorimit të antidepresivëve dhe rritjes së rrezikut për ADHD dhe Autizmit te fëmijët.
Megjithatë, studiuesit thanë se kjo lidhje u zhduk pasi u morën parasysh faktorë të tjerë të rrezikut, si problemet e shëndetit mendor te prindërit dhe predispozitat gjenetike.
Autori i studimit, Dr. Wing Chung Chang, tha se rezultatet ofrojnë siguri për gratë që përdorin antidepresivë gjatë shtatzënisë.
“Studimi ynë tregon se antidepresivët e përdorur zakonisht nuk rrisin rrezikun për çrregullime neurozhvillimore si autizmi dhe ADHD te fëmijët”, tha ai.
Sipas studiuesve, ndërprerja e antidepresivëve gjatë shtatzënisë mund të sjellë rikthim të depresionit, prandaj vendimi për vazhdimin apo jo të trajtimit duhet të merret duke peshuar përfitimet dhe rreziqet për secilin rast.
Analiza nuk gjeti lidhje mes përdorimit të antidepresivëve të zakonshëm të grupit SSRI dhe rritjes së rrezikut për autizëm apo ADHD.
Megjithatë, një rrezik më i lartë u vu re te disa barna të tjera, si amitriptilina dhe nortriptilina, të cilat zakonisht përdoren në raste më të rënda të depresionit.


