Përdorimi i substancave psikoaktive si alkooli, kafeina, nikotina apo kanabisi është i zakonshëm te personat që jetojnë me sklerozë multiple, qoftë për arsye rekreative apo për menaxhimin e simptomave. Megjithatë, një studim i ri paralajmëron se këto substanca mund të sjellin njëkohësisht edhe efekte anësore të padëshiruara.
Studimi është realizuar nga studiues të Universitetit të Michiganit dhe është publikuar në revistën shkencore “Archives of Physical Medicine and Rehabilitation”.
Hulumtuesit analizuan ndikimin e substancave psikoaktive te pacientët me sklerozë multiple duke monitoruar në kohë reale simptomat e tyre për 14 ditë.
Pjesëmarrësit raportuan katër herë në ditë nivelin e lodhjes, dhimbjes, stresit dhe simptomave depresive, si dhe përdorimin e alkoolit, kafeinës, nikotinës, kanabisit apo opioideve.
Sipas rezultateve, përdorimi i alkoolit u shoqërua me ulje të stresit, por njëkohësisht me rritje të lodhjes. Kafeina ndihmoi në zvogëlimin e lodhjes, por rriti nivelin e stresit.
Ndërkohë, kanabisi tregoi efekte pozitive në menaxhimin e dhimbjes, por u lidh me lodhje më të madhe te pacientët. Nikotina nuk tregoi përfitime pozitive dhe u asociua vetëm me shtim të lodhjes.
Autorja e studimit, Anna Kratz, profesoreshë e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit në Universitetin e Michiganit, tha se gjetjet mund t’i ndihmojnë pacientët të reflektojnë mbi ndikimin që kanë këto substanca në simptomat e tyre.
Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e komunikimit të hapur mes pacientëve dhe mjekëve lidhur me përdorimin e substancave psikoaktive, në mënyrë që të kuptohen më mirë përfitimet dhe rreziqet e mundshme për secilin pacient./Gazeta Shneta/


