Komuna e Prishtinës ka njoftuar nisjen e një iniciative të re për promovimin e shëndetit publik dhe aktivitetit fizik në Parkun e Gërmisë, ku çdo të shtunë do të ofrohen shërbime falas shëndetësore për qytetarët.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Shëndetësisë, çdo të shtunë nga ora 09:00, një ekip i urgjencës mobile i Kryeqytetit, i përbërë nga mjekë dhe staf teknik, do të jetë i pranishëm në Gërmi për të realizuar matje falas të shtypjes së gjakut dhe treguesve të tjerë bazikë shëndetësorë.
Kjo iniciativë është pjesë e planit trevjeçar të Komunës së Prishtinës për avancimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe promovimin e shëndetit fizik e mendor të qytetarëve.
Sipas komunës, përfshirja e Parkut të Gërmisë në programin formal të qeverisjes komunale bazohet edhe në praktikat ndërkombëtare, përfshirë modelin e National Health Service, ku aktiviteti fizik rekomandohet si pjesë e kujdesit parësor për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve kronike.
Nga komuna theksohet se aktiviteti i rregullt fizik ndikon në uljen e rrezikut për sëmundje si diabeti, hipertensioni dhe sëmundjet kardiovaskulare, ndërsa njëkohësisht ndihmon edhe në përmirësimin e shëndetit mendor duke reduktuar stresin, ankthin, depresionin dhe izolimin social.
Në kuadër të kësaj nisme, çdo të shtunë në ora 09:00 në Parkun e Gërmisë do të organizohen edhe ecje dhe vrapime rekreative në distanca prej 2 dhe 5 kilometrash.
Pjesëmarrja do të jetë falas, pa karakter garues dhe e hapur për të gjitha grupmoshat, pavarësisht nivelit të përgatitjes fizike.




